Një person është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, i cili dyshohet se tentoi të trafikonte 5 persona, përcjell InLajmi..
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie.
Tutje bëhet me dije se në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Merdare në dalje të Republikës së Kosovës, gjatë procedurave kufitare të kontrollit të automjeteve dhe udhëtarëve është kontrolluar një veturë me targa italiane.
“Në veturë ishin 5 persona, 2 shtetas të Sllovakisë (nënë e djalë, vitet e lindjes 1986 dhe 2017), një mashkull kosovar Q.P. viti i lindjes 1996 dhe 2 të mitur meshkuj kosovarë. Policia gjatë trajtimit të personave krijojnë dyshimin se mund të jetë ky një rast i trafikimit me emigrant”, thuhet në komunikatë.
Policia ka intervistuar të dyshuarin Q.P. në prezencë të avokatit të tij.
Po ashtu, janë intervistuar edhe 2 viktimat (të miturit, meshkuj kosovarë) në prezencë të prindërve të tyre.
“Gjatë procedurave të intervistimit dhe provave tjera, dyshohet se 2 të miturit, meshkuj kosovarë, kishin marrëveshje paraprake me të dyshuarin që të dërgoheshin në Itali pa poseduar dokumente për të lëvizur në zonën shengen”.
Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare me aktvendim të së cilës i dyshuari dërgohet në mbajtje nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘kontrabanda me emigrant’./InLajmi/