Profesori i filozofisë dhe analisti politik, Blerim Latifi, ka reaguar lidhur veprimin që ka bërë sot Kisha Ortodokse Serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, duke mbajtur liturgji fetare, përcjell InLajmi.
E mbajtja e kësaj meshe pikërisht sot, sipas tij nuk është e rastësishme hiç.
Ai ka thënë se pikërisht me 10 qershor kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme në Kosovë, duke përmendur edhe fillimin e largimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova, pas nënshkrimit të kapitullimit të tyre në Kumanovë me 9 qershor 1999.
Tutje ai përmes llogarisë Facebook ka thënë se Serbia ia doli t’ia përçoi një mesazh politik madje para hundëve tona me lejen e institucioneve tona të mjera të mbushur me qyqar e të padijshëm.
Postimi i plotë i tij:
Nuk është e rastësishme hiç pse Kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur 10 qershorin për të mbajtur liturgji në kishën e Millosheviqit në Prishtinë.
10 qershori është data e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, organizatës së parë kombëtare shqiptare.10 qershori është data e fillimit të largimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova, pas nënshkrimit të kapitullimit të tyre në Kumanovë me 9 qershor 1999.
10 qershori është data kur gjatë vizitës së tij në Tiranë, në qershor 2007, presidenti Bush, njoftoi botën se pavarësia e Kosovës është punë e kryer.
Dhe, duke zhvilluar një liturgji në zemër të Prishtinës, në një kishë gurthemelin e të cilës e kishte vënë vetë krimineli Arkan, Kisha Ortodokse Serbe ka dashur dhe ia doli të përçoi një mesazh politik kundër këtyre tri datave. Madje, nën hundët tona dhe me lejen e institucioneve tona të mjera shtetnore, të mbushura me qyqarë e të padijshëm./InLajmi/