Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka rikujtuar Kryeministrit Kurtit kushtet që ka pasur para se të marrë detyrën, në lidhje me dialogun me Serbinë, raporton InLajmi.
Hoxhaj ka qenë pjesëmarrës në diskutimet e forumit FOL Hapur dhe fjalën e tij e ka nisur duke i përmendur Kryeministrit, kërkimfaljen nga Serbia si dhe kthimin e të pagjeturve, si kushte që vetë ai i ka paraqitur më herët për pjesëmarrje në dialog me Serbinë.
“Nëse Serbia nuk kërkon falje deri më 15 qershor për gjenocidin e kryer në Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ulet në takim me Vuçiqin”, u shpreh Hoxhaj.
Duke e cilësuar Qeverinë Kurti si të dëshuar, ai ka vënë theksin tek mungesa e programit qeverisës, dështimin në politikë të jashtme si dhe dështim në qasjen për dialog me Serbinë.
“Ajo që ka ndodhë deri në këto 100 ditët e para të Qeverisë është që kemi parë dështim në 3 nivele e para është se nuk ka program, së dyti nuk ka përmbajtje, e kemi parë në mbledhje të Qeverisë që merren vendime koti, nuk ka profil kjo Qeveri, ka ministra që askush nuk e di se për çka qëndrojnë dhe mbi të gjitha kjo Qeveri nuk ka standard. Kanë thënë që s’do të ketë nepotizëm e këtë po e shohim çdo ditë. Arsyetimi për punësimet familjare është pafytyrësi politike. Nuk mendoj që ka pasë Qeveri më të dobët në histori të Kosovës si kjo e Kurtit”, ka thënë ai.
Ndër të tjera kryetari në detyrë i PDK-së, ka thënë se partia e tij nuk do të bëjë një opozitë si Vetëvendosje, por si partitë parlamentare evropiane.
“Do të jem sa më i qartë. Ne e kemi kuptuar rezultatin e 14 Shkurtit si një cikël demokratik, dhe ndryshimin si diçka demokratike. Ne nuk do të jemi një opozitë si Lëvizja Vetëvendosje, as në mendësi, as në qasje e veprimtari konkrete, por PDK-ja do të bëjë një opozitë si partitë parlamentare evropiane. Unë e di si bëhet opozita dhe si fitohet beteja e mendimeve”, është shprehur ai.
Duke folur për politikën e jashtme, Hoxhaj ka thënë se nësë vazhdon në këtë mënyrë Kosova mund të bie në pozitë të Tajvanit, Qipros apo Palestinës.
“Politika e jashtme në kontekstin e Kosovës nënkupton që duhet të ketë vullnet për ta avancuar pozitën e Kosovës, por që kjo Qeveri po e bën të kundërtën po e degradon këtë pozitë. Si rezultat i kësaj po e humb elementin e shtetësisë dhe po bëhet si disa shtete jo të mirëfillta si Tajvani, Qipro e Palestina.”/InLajmi/