Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka konfirmuar se përkrah mbajtjen e konventës zgjedhore të kësaj partitë gjatë qershorit.
“Kam vizituar këto ditë degët e PDK dhe ka një kërkesë prej strukturave që PDK duhet të hapet si reflektim i rezultatit zgjedhor, duhet profilizuar duke sjell njerëz të rinj, duhet riorganizuar politikisht – me një platformë të re politike. Duhet riorganizuar edhe në planin organizativ, që të ndodhë një ndryshim. Në pikëpamjen time si Ushtrues detyre i kryetarit kjo do të duhej të kulmonte me një konventë që duhet të mbahej këtij muaji”, është shprehur Hoxhaj.
“Kjo konventë duhet të reflektojë për pritjet e anëtarësisë dhe strukturave të PDK-së. Nuk ka mospajtime. Sonte po konfirmoj që si Ushtrues detyre i kryetarit jam i gatshëm që ta nisë një proces të tillë meqë kjo do të krijonte momentum të ri për zgjedhjet lokale për PDK”.
Hoxhaj , ka thënë se nga kjo konventë do të duhej të dilte edhe kryetari i ri i PDK-së.
Ai nuk ka konfirmuar nëse do të jetë vet kandidat për kryetar, shkruan KlanKosova.
“Nuk kam menduar deri tash. Është debat tjetër”