Nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati për kryetar të kryeqytetit Daut Haradinaj, ka prezantuar të martën sloganin e tij #epara Prishtina, përcjell InLajmi.
Ai përmes një postimi në Facebook, është shprehur i lumtur të prezantojë sloganin bashkë me pamjet e Hyjneshës në Fron, Pallatit të Rinisë, Xhamisë dhe Sahat Kullës, duke u dhënë një kuptim të veçantë për kryeqytetin secilës prej pamjeve të prezantuara.
Postimi i plotë i tij:
Sot jam i lumtur që ekipi i dizajnerëve të fushatës kanë përgatitur disa nga materialet që do t’a identifikojnë garën tonë për fitore.
Hyjnesha në fron, se Prishtina ka histori e qëndresë
Sahat Kulla, se Prishtina i qëndroi kohës e mbeti e veçantë
Pallati i Rinisë se u ndërtua nga një gjeneratë e re, për të qenë pikëtakim i përhershëm i rinisë.
Xhamia, se gjithçka filloi nga aty për ta bërë Prishtinën shtëpi të të gjithëve.
Shumë ngjyra se Prishtina është vend i njerëzve më interesantë me shumë karaktere e veçori që i japin gjallëri jetës.
Për këto e shumë shkaqe të tjera, për ne – #eparaPrishtina, andaj për ta rritë madhështinë e Prishtinës me fitore, na shkoftë #punamarë! /InLajmi/