Zbulimi i eshtrave të 215 fëmijëve në një shkollë kanadeze të drejtuar nga Kisha Katolike, ka rihapur plagët e vjetra dhe ka nxitur zemërim në Kanada për mungesë informacioni dhe llogaridhënie, transmeton InLajmi.
Pas këtij skandali të shkollës “Indian Residential” në British Columbia, e cila ishte mbyllur në vitin 1978, Papa Françesku është takuar me 2 klerikë kanadezë në Vatikan. Ai u takua veçmas me kardinalin Michael Czerny dhe kardinalin Marc Ouellet, megjithatë Vatikani nuk ka folur akoma për ngjarjen që ka lëkundur Kanadanë.
Diplomatë të shumtë janë shprehur se do të ishte e pazakontë nëse këto ngjarje nuk tregohen, ndërkohë që shumë kanadezë i kanë bërë thirrje papës që të bëjë një falje zyrtare për rolin e Kishës Katolike në shkollat rezidenciale, të cilat funksiononin midis 1831-1996 dhe drejtoheshin nga një numër i konfesioneve të krishtera në emër të qeverisë.
Ndërsa, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha të premten se Kisha Katolike duhet të marrë përgjegjësinë për rolin e saj në drejtimin e shumë prej shkollave.
Kujtojmë se sistemi i shkollës rezidenciale ka ndarë me forcë rreth 150.000 fëmijë nga shtëpitë e tyre. Shumë prej të cilëve u janë nënshtruar abuzimeve, përdhunimeve dhe kequshqyerjes, në atë që Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në 2015 e quajti “gjenocid kulturor”, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.
Drejtuar nga qeveria dhe Kisha të ndryshme të Krishtera, qëllimi i deklaruar i këtyre shkollave ishte të asimilonin fëmijët autoktonë./InLajmi/