Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, e konsideron zhgënjyes dhe të papranueshëm mos kualifikimin e Prizrenit, për të qenë përfitues të grantit të performancës komunale, përcjell InLajmi.
Në raportin e rivlerësimit të performancës për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021, të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkruan se “Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021”.
E lidhur me këtë ka reaguar PDK-ja, dega në Prizren.
“Komuna e Prizrenit, në vazhdën e dështimeve, dështon përsëri. Dështon të përmbushë kriteret për të qenë në konkurrencë për të përfituar grantin e performancës komunale”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, Komuna e Prizrenit ka dështuar të plotësoj kushtin minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimet ligjore për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikqyrëse) dhe kushtin minimal numër 4 (Shkalla e shpenzimeve të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 duhet të ishte së paku 75%).
“Nga 29 indikatorët vlerësues, Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë 40 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme, as gjysmën e pikëve totale. Qeverisje e turpit në Prizren është vazhdimisht duke dëshmuar me autogola se ata nuk e kanë merituar fitoren para 4 viteve. Janë të paaftë, nuk janë kompetent për të shtyrë projektet para, nuk kanë kuadro dhe mbi të gjitha nuk kanë dëshirë, vullnet politik dhe as guxim të qeverisin me Prizrenin”, thuhet tutje në reagimin e tyre. /InLajmi/