Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për shpërndarjen ndërkombëtare të 25 milionë dozave të vaksinave.
Kjo u bë e ditur nga raportuesja e Washington Post dhe MSNBC rreth Shtëpisë së Bardhë, Anne Rumsey Gearan.
Sipas saj, e cila ka shpërndarë një listë të shteteve ku do të mbërrijnë këto vaksina është edhe Kosova.
Kosova është në një grup me Meksikën, Kanadanë, Republikën e Koresë, Bregun Perëndimor dhe Gazën, Ukrainën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun, Jemenin dhe punëtorët e vijës së parë të Kombeve të Bashkuara.
Për këtë grup të shteteve ku gjendet Kosova janë planifikuar të ndahen përafërsisht 6 milionë vaksina.
Ndërkohë një sasi tjetër prej 19 milionë vaksinave do të shpërndahet për një numër tjetër të shteteve.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të enjten 12 raste të infektimit me coronavirus pas testimit të 2,676 mostrave.
Përgjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 3 qershor janë shëruar 182 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 1,652.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,447 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,243 kanë vdekur.
Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 72.637 persona, transmeton Telegrafi.
Më 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.