Në Kosovë kanë arritur 100.620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX, përcjell InLajmi.
Që nga arritja e 24.000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38.400 doza që morëm 2 javë më parë dhe 15.000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit, njofton Ministria e Shëndetësisë përmes një statusi në Facebook.
Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit.
“100. 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë.
Sidoqoftë, pandemia e koronavirusit nuk ka mbaruar ende. Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë masat e mëposhtme të parandalimit – mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e mirë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të kontribuar në parandalimin e humbjeve të jetës dhe komplikimeve serioze të shëndetit të shkaktuara nga pandemia “, thuhet në njoftimin e Ministrisë./InLajmi/