Kanë kaluar vetëm dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë organizimin e një tjetër procesi zgjedhor.
Për këtë, KQZ-së do t’i duhet të kërkojë buxhet shtesë në Qeverinë e Kosovës, pasi një pjesë e buxhetit të planifikuar për zgjedhjet lokale u shpenzua për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën në shkurt.
Ndonëse akoma nuk është shpallur data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky institucion ka filluar me planifikimin e detyrave.
“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njësitë përkatëse, janë duke bërë planifikimet dhe detyrat për organizimin e zgjedhjeve lokale, për kryetarë të Komunave dhe për kuvende Komunale. Natyrisht se fillimi i përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në këtë rast zbatimi i planit operacional fillon pasi të kemi shpalljen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve nga Presidentja e Kosovës, kështu që jemi në pritje dhe pastaj KQZ të fillojë më zbatimin e të gjitha detyrave që dalin nga ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale”, tha Elezi.
Sipas ligjit për buxhetin e Kosovës të vitit 2021, në programin e zgjedhjeve kanë qenë të ndara 8 milionë euro.
“Viti 2021 është vit i rregullt zgjedhor dhe duke qenë i tillë, Kuvendi i Kosovës në ligin për buxhet të këtij viti ka planifikuar buxhet për mbajtjen e zgjedhjeve.
Por, siç e dimë ka ndodhur që të kemi zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në muajin shkurt, dhe një pjesë nga këto mjete janë shfrytëzuar për qëllim të organizimit të tyre”.
“Në këtë situatë, është e domosdoshme që të bëjmë një kërkesë për buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës. Sigurisht se kërkesa do të dërgohet pasi të shpallen zgjedhjet, sepse deri atëherë do ta kemi një planifikim buxhetor”, u shpreh Elezi në një intervistë për Ekonomia Online.
Zgjedhjet lokale, përmes së cilave do të zgjedhën kryetarët në 38 komuna dhe këshilltarët në 38 kuvende komunale, pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.