Deputetja e Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka bërë pyetje në drejtim të Qeverisë së Kosovës ku ka thënë nëse do t’i kushtëzoj punëtorët shëndetësorë që të zgjedhin mes punës në sektorin privat dhe publik, ashtu siç kishin planifikuar më herët, raporton InLajmi.
Ndër të tjera Kadrijaj ka thënë se kjo qeveri i ka nënçmuar punëtorët shëndetësorë duke thënë se ata po i përdorin institucionet publike për të rekrutuar pacientë.
“A do të vazhdoni me këtë ritëm që punëtorët shëndetësorë të zgjedhin mes sektorit privat dhe atij publik? Ju i keni nënçmuar mjekët. Mjekët dhe infermierët sipas jush po përdorin institucionet publike për rekrutim të pacientëve”, ka deklaruar ajo.
Tutje deputetja e AAK-së ka pyetur qeverinë se kur do të aprovohet Ligji për Paga e a do t’i rritet punëtorëve shëndetësorë koeficienti.
“Kemi vetëm 4 mijë e 200 mjekë specialist. Për shkak të pagave shumë punëtorë shëndetësorë po gjejnë adresë për perëndimin. Kur do të aprovohet Ligji i Pagave dhe sa do të jetë koeficienti i mjekut specialist? Ju nuk e keni votuar Ligjin për Paga për shkak se koeficienti duhet të jetë 6 për mjekët specialist ndërsa për infermierët 3”, ka thënë ajo /InLajmi/