Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Hysen Durmishi ka reaguar ndaj kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për tenderin 44 milionësh të anuluar nga ministri Liburn Aliu, përcjell InLajmi.
Përmes një postimi në Facebook, Hysen Durmishi ka thënë se Haradinaj ka thënë të pavërteta në Kuvendin e Kosovës.

Ky reagim i Hysen Durmishit ka ardhur pas fjalimit të Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës së mbajtur ku ka thënë se Liburn Aliu me ndaljen e tenderit është duke vjedhur Kosovën.
Postimi i plotë i Hysen Durmishit:
Sqarim për opinionin publik dhe të pavërtetën e z. Ramush Haradinaj
E kemi anuluar tenderin 44 milionë eurosh i cili potencialisht do të rritej ne 57 milionë. E kaluara na ka treguar se kontratat kornizë janë rritur për 30 %.
Ne kemi shpallur tender të ri me vlerë të parashikuar 11 milionë e 600 mijë euro për një vit. Pra maksimumi që mund të arrijë kjo kontratë për tri vite është 35 milion euro.
Pra i kemi shpëtuar nga buxheti 22 milionë euro vetëm nga kjo kontratë e në anën tjetër do të rritet cilësia.
Prandaj z. Haradinaj mos e shfrytëzo foltoren e Kuvendit për të thënë të pavërteta. Edhe ashtu askush nuk i beson më këto gjëra sepse klasa juaj politike e korrupsionit e keqpërdorimit ka marrë fund me 14 shkurt. Ajo kohë nuk do të kthehet më e as ata keqpërdorues.
Fjalimi i Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës:
Ai ministër është duke e vjedhur Kosovën më se keqi, Liburn Aliu, ai i ka ndalë një tender 40 milionësh për tre vjet dhe e ka shpallë një tender 22 milionësh për një vjet dhe po del po i thotë Kosovës po ia shtoj paret, jo zotni jeni duke e vjedhur paret. 66 milionë i bëhet Kosovës tenderi 44 milionësh i qeverisë së mahershme. Ku po mendon se jeton ai njeri, që guxon me fol kështu. /InLajmi/





















