Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formojë në mënyrë urgjente një task-forcë ndërinstitucionale për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale, raporton InLajmi.
Ndër të tjera deputetja e PDK-së ka thënë se është e shqetësuar për numrin e madhe të rasteve të ngacmimeve seksuale.
“Gjatë javës së kaluar raste të shumta të cilat janë raportuar edhe në media. Vetëm gjatë vitit 2020-të, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsejtë 40 raste të ngacmimeve seksuale. Merreni me mend për ato raste të cilat nuk janë të raportuara dhe për të cilat institucionet nuk kanë informacion. Incidentet e fundit, rasti në Fushë Kosovë, rasti tragjik në komunën e Pejës dhe rastet e raportuara gjatë kësaj jave dëshmojnë se viktimat, dhunës apo abuzues janë të dy gjinive, të moshave të ndryshme. Përfshirë këtu edhe një fëmijë të moshës 6-vjeçare. Ndonëse në shumicën e rasteve, viktimat janë gra e vajza”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Sipas Deliu-Kodra fshehja e abuzimit seksual u mundëson agresorëve që të mbesin të pandëshkuar.
“Ftoj qytetarët që këto raste të mos heshtin, por të raportohen dhe të kërkohet llogari nga institucionet kompetente. Fshehja e abuzimit seksual u mundëson agresorëve që të mbesin të pandëshkuar. Dhe inkurajon agresorët potencial që të përsërisin veprimin. Mostrajtimi i këtyre rasteve prej institucioneve kompetente është ndëshkim i serishëm i viktimës. Asnjë qytetarë nuk duhet të braktiset nga shteti edhe atëherë kur familjet padrejtësisht mund të vendosin që të fshehin rastet abuzive[…]Kërkojë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të krijojë një task-forcë ndërinstitucionale me përfaqësues edhe nga komuniteti i ekspertëve edhe nga organizatat e shoqërisë civile të specializuara në këtë fushë. Dhe ftoj që të kenë të gjitha resurset e nevojshme për trajtimin dhe hartimin e strategjive”, ka thënë ajo. /InLajmi/