Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media ku kanë thënë se Programi i Qeverisë për politikën e Jashtme është më shumë i natyrës dëshirore, pasi nuk ka plan e as strategji, raporton InLajmi.
Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK-së dhe njëherësh koordinatore e departamentit për poltikë të Jashtme ka thënë se Programi i Qeverisë së re është sipërfaqësor, si dhe partia LVV ka hequr dorë nga shumë çështje me ardhjen në pushtet.
“Ka ndryshuar kurs sa ishte në opozitë jo vetëm sa i përket dialogut por edhe ne shumë çështje të tjera”, tha Mjekiqi.
“LDK-ja e konsideron të rëndësisë të jashtëzakonshme konsolidimin e politikës së jashtme të Kosovës. Përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioritet për secilen qeveri, por programi i Qeverisë për politikën e jashtme është i natyrës dëshirore. Me një fjalë, s’ka strategji, s’ka plan veprimi. Programi nuk përmban asnjë fjalë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Interpol e të tjera. Qeveria ka mungesë të strategjisë për njohje të reja. Qeveria nuk e shpjegon se si do të arrihen fondet e IFA-së. Nuk ka strategji as për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne e konsiderojmë që procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës është i vonuar. Bashkëpunimi me Shqipërinë përmendet në vetëm një paragraf, ndryshe nga premtimet gjatë zgjedhjeve të cilat nuk po konkretizohen”, ka thënë Mjekiqi. /InLajmi/