Presidentja Vjosa Osmani tha se ka njoftuar presidentin slloven, Borut Pahor se Kosova do të ulet në tavolinën e dialogut me Serbinë, por nuk do të pranoj që çështja e kufijve të diskutohet, shkruan InLajmi.
“Prandaj unë e potencova gatishmërinë e Kosovës të jetë pjesë e dialogut duke e pasur parasysh që statusi jonë është përcaktuar më 17 shkurt e gjithashtu edhe kufijtë. Kosova do të ulet në tavolinë për të diskutuar për çështje të rëndësishme siç është çështja e personave të pagjetur”, u shpreh ajo në një konferencë të përbashkët me homologun e saj slloven.
Tutje, Osmani tha se gjatë takimit me presidentin Pahor ka potencuar se liberalizimi i vizave do të forconte kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë
“Diskutuam për përshpejtim të integrimin evropian të gjithë rajonit tonë. Kosova e ka prioritet integrimin evropian, prandaj reformat që duhet të merren për këtë proces ne nuk i shohim si imponim por reforma në të mirë të qytetarëve tanë. Natyrisht e potencuam që Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, dhe tani është në një pritje të gjatë dhe fatkeqësisht qytetarët tanë po presin. Liberalizimi i vizave do ta ngriste kredibilitetin e BE-së në Kosovë”./InLajmi/