Komuna e Skenderajt ka ndihmuar mbi 2000 familje në nevojë, në prag të festës së Fitër Bajramit.
I gjithë ky aksion u mundësua me propozim të kryetarit të komunës së Skenderjat, Bekim Jashari, që nga buxheti komunal të përkrahen 1000 familje në nevojë dhe mjetet e tjera u grumbulluan nga bashkëpunimi me donatorë të shumtë.
Nga ky aksion janë ndihmuar familje në nevojë, përfshirë këtu ato familje që janë nën asistencë sociale si dhe atyre që i është rënduar situata ekonomike që nga shfaqja e virusit COVID-19.
Me rastin e shpërndarjes së këtyre pakove Kryetari i komunës, Bekim Jashari, në emër të qytetarëve të Skenderajt si dhe të familjeve në nevojë, u shpreh falënderues ndaj çdo donatori që ka kontribuar në gëzimin e familjeve me rastin e Fitër Bajramit.
“Meqenëse jemi në prag të Fitër Bajramit, që nga java e kaluar kemi filluar të bëjmë shpërndarjen e mbi 2000 pakove ushqimore për familjet që kanë nevojë për to, ku 1000 familje do të ndihmohen nga buxheti i ndarë nga komuna ndërsa mbi 1000 të tjera nga donatorë, humanist të ndryshëm, shoqata bamirëse, organizata vendore e ndërkombëtare dhe bashkëkombës nga diaspora jonë e dashur”, tha ndër të tjera Jashari.
Shpërndarja e këtyre ndihmave tek familjet në nevojë po bëhet nga zyrtarët komunal përmes kryetarëve të fshatrave të cilët pakot po i dërgojnë tek secila familje.