Këtë vendim, sipas njoftimit zyrtar nga BIK, është marrë “duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mos-përshkallëzim të mëtutjeshëm të situates”
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) me rastin e festës së Fitër Bajramit ka marrë vendim që namazi i sabahut në këtë ditë, më 13 maj, të falet nëpër shtëpi, ndërsa organizimi i faljes së Fitër Bajramit të bëhet nëpër xhami dhe hapësirat përreth saj, por jo në sheshe apo ambiente të ngjashme publike
Këtë vendim, sipas njoftimit zyrtar nga BIK, është marrë “duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mos-përshkallëzim të mëtutjeshëm të situates”.
“Falja e namazit të Fitër-Bajramit do të bëhet në orën 05:53 min. Xhamitë do të hapen 10 minuta para faljes së namazit të Fitër-Bajramit. Gjatë kësaj kohe do të merren tekbire, do të lexohen pjesë nga Kur’ani dhe do të këndohen ilahi dhe salavate. Ligjërata (hutbeja) e Fitër-Bajramit nuk duhet ta tejkalojë limitin kohor prej 10 minutash”, thuhet në vendimin e BIK-ut.
Gjithashtu besimtarët janë të obliguar që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore në xhami, duke pastruar dhe dezinfektuar duart, duke mbajtur maskë dhe distancë fizike brenda dhe jashtë xhamive, si dhe të posedojnë sexhade personale.
Po ashtu është kërkuar që në xhami të mos ketë prani të personave me sëmundje kronike dhe atyre që kanë simptoma të virusit, të mos ketë shtrëngim të duarve me njëri-tjetrin me rastin e përshëndetjes apo shprehjes së urimit për Bajram, të mos krijohen turma njerëzish dhe xhemati të shpërndahet menjëherë pas ceremonisë fetare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Po ashtu theksohet se nuk do të organizohet pritje e zakonshme për nder të festës në Kryesinë e BIK-ut dhe as në selitë e Këshillave lokale.