Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratat e dikurshme të tashmë Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, lidhur me ish-krerët e UÇK-së. Gërvalla kishte deklaruar se kishte dëshmi kundër krerëve të UÇK-së dhe se ato do t’i dorëzonte në Gjykatën Speciale.
Haliti thotë se në kohën kur Gërvalla bënte deklarata të tilla ishte shtetase gjermane dhe nuk mbante poste qeveritare. Por sot sipas tij, situata ndryshon tashmë, pasi ajo është ministre.
“Tani ajo është në politikë, është ministre e punëve të jashtme dhe duhet ta ketë parasysh që do të ketë përballje të vazhdueshme me gabimet e veta. Unë mendoj se nuk mund të quhet se s’ka qenë gabim një akuzë e tillë për njerëz me emra dhe me mbiemra. Nëse ke argumente, unë nuk jam kundër askujt, qofshin ata edhe bashkëpunues në Gjykatën e Hagës që e tregojnë të vërtetën. Por të akuzosh pa argumente…”.
Anëtari i PDK-së thekson se Gërvalla duhet të kërkojë falje nëse ka gënjyer publikisht.
“Në qoftë se ti ke deklaruar se unë e di që figurat qendrore të UÇK-së janë kështu e ashtu dhe ki argumente unë mendoj se duhet me shku edhe atje. Nëse nuk ke pas fakte dhe ke gënjyer opinionin atëherë ti duhet me kërku falje”, thotë Haliti.
Ditë më parë Gërvalla tha se s’ka dorëzuar dëshmi në Hagë dhe as që do ë bëj një gjë të tillë. Kjo sipas Halitit është arsye e mjaftueshme që ajo të kërkojë falje, përcjell RTV21.
“Unë dua t’i besoj fjalëve të saj se s’ka shkuar dhe s’i ka çuar dokumentet për gjoja vrasjet e pasluftës, atëherë çka po i bjen kjo, a e ka thënë të vërtetën atëherë apo tash? Sot si ministre, s’po them me linçuar ose me dënuar por i takon me mbledh forcën dhe me bo një kërkimfalje. Më e fuqishme do të kishte dalë nëse do të kërkonte falje sesa të vazhdonte me akuza”, shtoi ai.