Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot mbajti fjalim me rastin e 21 vjetorit të themelimit të AAK-së, raporton InLajmi.
Haradinaj tha se me 2 maj 2000 idealet politike të atdhetarëve dhe lëvizjeve për liri morën emrin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai tha se Aleanca dallon nga partitë e tjera pasi realizon interest e Kosovës. Sipas tij vulën e Aleancës e kanë të arriturat e Kosovës që nga liria, infrastrukutra vazike, qeverisja komunale.
“Aleanca dallon nga partitë e tjera, për faktin jo vetëm se i artikulon bukur interesat e Kosovës por edhe i realizon ato. Vulën e Aleancës e kanë shumë të arritura të Kosovës që nga liria, infrastruktura bazike, rifillimi i jetës në Kosovë, qeverisjes komunale, shërbimeve për qytetarë në çdo kohë dhe me respekt. Vulën e Aleancës e kanë edhe krijimi i ministrive të para të drejtësisë dhe rendit publik në vitin 2005. Po ashtu vulën e Aleancës e kanë të gjitha proceset e angazhimit të Kosovës deri në pavarësi, ndërsa në qeverisjen e dytë, vulën e Aleancës e kanë të gjitha punët që janë sot themel i shtetit tonë”.
Haradinaj poashtu ka përmendur se ata kanë vendosur taksën dhe reciprocitetin dhe poashtu nuk kanë dialgoguar me Serbinë.
Ne vendosëm vetë, nuk dialoguam me Serbinë, vendosëm vetë për taksën dhe reciprocitetin, vendosëm vetë për sovranitetin tonë duke mbrojtë ekonominë e Kosovës. Ne vendosëm vetë për Ushtrinë e Kosovës e cila me mandat kushtetues mbron Kosovën në gjithë territorin e saj. Ne vendosëm vetë për Trepçën, ne vendosëm vetë për pavarësimin energjetik. Vulën e Aleancës e kanë edhe aktet që dikur e edhe sot çmohen nga të gjithë: dorëheqja e parë e kryeministrit të qeverisë së vendit, ashtu edhe dorëheqja e dytë, përballja me dinjitet para aktakuzave me Tribunalin ndërkombëtar dhe pafajësia e pastërtia e Luftës së UÇK-së, shtoi Haradinaj.
Ai tha se nuk duhet harruar që Aleanca është këtu dhe se në zgjedhjet e ardhshme komunale AAK do i tregojë të gjithëve se qytetarët i besojnë Aleancës.

Haradinaj në fund uroi AAK-në për 21 vjetor, ai falënderoi të gjithë themeluesit e Aleancës dhe qytetarët duke i ftuar ata që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre së bashku./InLajmi/