Dita Ndërkombëtare e punëtorëve Një Maji, punëtorët kosovarë po i gjen në gjendje jo të mirë.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se problemet kryesore të punëtorëve janë moszbatim i ligjit të punës, kushtet jo të mira të punës dhe paga minimale e ulët.
Mungesa e kontratave të punës, mos respektimi i tyre, puna me orar të tej-zgjatur, pagat e ulta dhe siguria jo e duhur në punë, janë problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë mijëra punëtorë gjithandej vendit. Se punëtorët ballafaqohen me këto probleme çdo ditë e prej vitesh, e pohon në një prononcim për Radio Kosovën edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, i cili thotë se punëtorët kosovarë 1 Maji po i gjen me shkelje të shumta të të drejtave të tyre.
“Punëtorët 1 Maji po i gjenë të diskriminuar. Ende nuk ka asnjë hap pozitiv për realizimin e të drejtave të punëtorëve, sigurin në punë, por edhe sigurimin shëndetësorë, edhe pse BSPK është angazhuar në maksimum që madje një hap pozitiv të hidhet për të mirën e punëtorëve duke e ngritur pagën minimale apo duke e respektuar marrëveshjen kolektive”, tha ai.
Të punësuarit në sektorin privat janë më të diskriminuarit, thekson Ajdini. Sipas tij, gratë punëtore janë më të diskriminuara dhe ndodhë të largohen nga puna kur punëdhënësit kuptojnë se ato janë shtatëzënë. Për kreun e BSPK-së, ngritja e pagës minimale është mëse e nevojshme.
“Sa i përket pagës minimale, kryeministri i tanishëm ka premtuar që kjo të jetë 250 euro. Unë besoj se kjo duhet të realizohet, deri në fund të vitit, edhe pse ne kemi kërkuar që në bazë të standardit jetësorë paga minimale të jetë 350 euro”, tha Ajdini
Dita e Punës – 1 Maji, shënohet që nga viti 1866 dhe ky manifestim lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta. Në shënim të kësaj date, BSPK, sot, nga ora 13;00 do mbajë konferencë për medie ku do të paraqes problemet me të cilat përballen punëtorët dhe kërkesat sindikale për këtë vit.