I mbijetuari i Masakrës së Mejës, Lush Krasniqi, ka thënë se e mban mend shumë mirë çdo gjë nga kjo ditë për shkak se i ka të freskëta këto ngjarje të hidhura.
“Për të mbajtur mend nuk e kemi problem, sepse çdo gjë është e freskët. Këtu jemi në Qendrën Përkujtimore “27 Prilli” në Mejë që është emërtuar sipas datës kur ka ndodhur masakra më e madhe në Kosovë ku janë vrarë 376 persona që përfshin hapësirën prej rreth 20 fshatrave dhe territorin e dy komunave – Deçan dhe Gjakovë. Është vështirë të kthehemi dhe të përjetojmë ndjenjat dhe dhimbjet që kemi pasë sot e 22 vjet, por prapë se prapë mundohemi ta përballojmë këtë dhimbje. Kjo është masakra më e madhe në Kosovë. Unë kam të zhdukur, të vrarë dy vëllezër dhe axhën, pastaj nga fshati dhe rrethi më i gjerë”.
Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, nga Meja ka treguar më shumë detaje për ngjarjet tragjike të 27 dhe 28 prillit të vitit 1999.
“Në territorin e Komunës së Junikut ka filluar operacioni “Patkoi” që ka pasë për qëllim rrethimin, përzënien, djegien e shtëpive dhe eliminimin e një numri të caktuar të banorëve. Nuk mund ta dimë ku ka ndodhur masakrimi më i madh, për shkak se një pjesë e njerëzve janë vrarë nëpër shtëpitë e tyre dhe një pjesë janë vrarë në brendësi të fshatit Mejë”.
“Një pjesë e fshatarëve janë përzënë nga shtëpitë e tyre dhe janë detyruar që të nisen në kolonë të të përndjekurve. Gjatë rrugës janë ndalur në disa vende, por pika e fundit ku janë ndalur një numër i madh i njerëzve ka qenë afër Kompleksit Memorial dhe ka zgjatur prej orëve të mëngjesit të 27 prillit të vitit 1999 deri nesërmen. Operacioni ka zgjatur dy ditë dhe masakrat, vrasjet, likuidimet, zhvarrosjet dhe tërheqja e kufomave ka ndodhur gjithkund në këtë territor. Është një diametër shumë i gjerë ku kanë ndodhur masakrat”.
“Nuk mund të fokusohemi në një pikë krimi, por si përmbyllje e kësaj është gjithë ky vend ku çdo njeri që është ndalur është ekzekutuar. Ata që kanë shpëtuar nga kjo pikë e kontrollit që ka qenë sot janë të mbijetuar, por shumica prej tyre kanë familjarë të vrarë dhe të zhdukur”.
Derisa gjatë ditës liderët shtetërorë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë, Krasniqi thotë se janë të dëshpëruar me punën që të gjitha qeveritë kanë bërë për të kërkuar drejtësi.
“Dua të shpreh pakënaqësitë e mia duke mos dashur të merrem me nivelin shtetëror. Fatkeqësisht jemi të dëshpëruar me punën 22 vjeçare. Nuk ua di planet, sepse derisa mashtrohesh një herë besimi nuk kthehet. Deri sot nuk shohim diçka konkrete”.
“Sa i përket aspektit të drejtësisë, kërkimfaljes dhe gjykimeve nuk është bërë asgjë. Fatkeqësisht Kosova ka dështuar në këtë drejtim. Është folur për Institut për Krime të Luftës, padi ndaj Serbisë dhe të tjera, por kanë qenë vetëm fraza të kota. Askush nuk e ka ndalë asnjë qeveri të pasluftës në Kosovë që së paku të akuzojë kriminelët që dihen me emra dhe mbiemra të cilët mund të dënoheshin në mungesë, ose së paku të ishin në listën e të kërkuarve. Kriminelët edhe sot sillen lirisht në Kosovë, fatkeqësisht me ndihmën edhe të disa bashkëkombasve të mi të cilët i ndihmojnë në shumë lëmi si kontrabandimi”.
Ai duke folur për procesin e dialogut me Serbinë ka thënë se as qeveritë e kaluara dhe as kjo e tanishmja nuk i kanë konsultuar të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të luftës në Kosovë.
“Sa i përket dialogut, kjo nuk është çështje e jona. Së pari ne duhet të jemi ata prej të cilëve udhëheqësit tanë duhet të marrin pajtueshmëri sepse të pajtohesh me një shtet që është kriminal dhe të gjithë ata që kanë qenë iniciatorë dhe ideatorë të luftërave në ish-Jugosllavi janë akoma në pozita udhëheqëse në Serbi. Një dialog i tillë është një mashtrim i kotë. Ne si familjarë akoma nuk e ndjejmë Kosovën si të lirë dhe akoma për mendimin tim Kosova është në gjendje lufte, sepse nuk jam i sigurt se në çdo moment mund të ketë luftë tjetër, sepse që 20 vjet nuk është punuar në drejtim të pajtimit, dialogimit dhe kërkim-faljes”.
Krasniqi po ashtu ka shprehur pakënaqësi lidhur me manifestimin e sotëm duke thënë se ishte një ngjarje e zbehtë.
“27 prilli është Dita Shtetërore e të Zhdukurve në Kosovë. Tani katër vjet Qeveria menaxhon organizimet, por sot ishte debakël, mosfunksionim dhe mosinteresim nga ana organizative. Sot çdo gjë u bë sipas gjeturisë së familjarëve dhe nuk kishte ekip organizues për të cilin qeveria është e obliguar që ta bëjë”