Gjatë muajit të Ramazanit, në Kosovë ka rënë interesimi i qytetarëve për t’u testuar për COVID-19, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë brenda dy ditëve të fundit (26 dhe 27 prill) janë bërë 3,844 testime. Ndërkaq, dy ditë para fillimit të Muajit të Ramazanit (11 dhe 12 prill) ishin kryer 7,621 testime për koronavirus.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se edhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kanë ndikuar në rënien e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 dhe të personave që kanë nevojë për hospitalizim.
Aktualisht, në spitalet e Kosovës janë duke marrë trajtim mjekësor 700 persona.
Në MSH, megjithatë nuk janë përgjigjur në pyetjen se a janë duke u gjurmuar rastet dhe kontaktet e personave, të cilët rezultojnë pozitivë në COVID-19.
Së fundmi, qytetarët e Kosovës, të cilët kanë pasur simptoma të sëmundjes COVID-19 kanë mundur që të testohen në institucionet publike. Paraprakisht, megjithatë, ata duhet të marrin një udhëzim nga mjeku familjar.
Rënie për 30 deri në 50% e testimeve për coronavirus ka pasur edhe në disa laboratorë privatë në Kosovë, ku thonë që lidhur me këtë ka ndikuar Ramazani.
Këtë e konfirmon, Blerim Bajçinca, menaxher në laboratorin ‘Olive’ në Prishtinë.
Tolaj: Të bëhen sa më shumë testime
Infektologu Ilir Tolaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet bërë sa më shumë testime për COVID-19.
Praktika ‘identifiko dhe gjurmo’, shton ai, është aplikuar në mënyrë strikte në disa vende, të cilat kanë treguar sukses në luftën kundër pandemisë.