Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se janë dhuruar 10 aspiratorë kirurgjikë për Spitalin e Pejës, përcjellë InLajmi.
Këto pajisje janë shpërndarë si pjesë e “Projektit Emergjent Covid-19 për Kosovë” që janë financuar nga një kredi e Bankës Botërore.
Pajisjet mjekësore do të ndihmojnë stafin shëndetësor për ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët.
Njoftimi i plotë i SHSKUK-së
10 aspiratorë kirurgjikë me rrymë për Spitalin e Pejës
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, pas klinikave të QKUK-së, po shpërndan pajisje mjekësore për spitalet e përgjithshme, të cilat janë pjesë e “Projektit Emergjent Covid-19 për Kosovë”, i financuar nga një kredi e Bankës Botërore- përmes UNOPS-it.
Spitali i Pejës ka pranuar 10 aspiratorë kirurgjikë me rrymë dhe 1 analizator të gazrave në gjak, në përputhje me kërkesën dhe nevojat e tij.
Pajisjet mjekësore janë të dorës së fundit dhe pritet të ndihmojnë shumë stafin shëndetësor për ofrimin e shërbimeve më cilësore shëndetësore për pacientët. /InLajmi/