Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se mbrëmjen e së shtunës, së bashku me kandidatët për zgjedhje nga Shqipëria, kanë mbajtur takim virtual me komunitetin shqipëtar në Itali, përcjellë InLajmi
Ai tregoi për kontributin e dhënë nga diaspora në ekonominë e Kosovës, duke u dalë në ndihmë edhe gjatë krizave ekonomike të vendit, duke mos e pasur vëmendjen nga institucionet.
Poashtu Kurti tregoi në një postim të tij, se temë tjetër e diskutimit ka qenë edhe nevoja e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjëve.
Postimi i plotë i tij:
Mbrëmë, pata kënaqësinë, si kryetar i Lëvizjes, bashkë me kandidatët Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani, të marrë pjesë në një takim me komunitetin shqiptar në Itali. Në këtë takim virtual erdhën shumë shqiptarë të Italisë, e ndër të cilët Giorgio Rubolino nga “Diaspora 91-19”; Marian Bjeshkëza nga “AssoAlbania”; Petrit Aliaj nga “Federazione Nazionale Associazioni Albanesi Italia” (FNAI); Alba Kepi, gazetare; Rozi Dako, psikologe etj. Takimi u moderua nga aktivisti i VETËVENDOSJE!-s në Itali, Erald Korra.
Komuniteti shqiptar në Itali, i cili është bukur i madh e i integruar, përkujton këtë vit 30 vjetorin e eksodit të madh prej Shqipërisë, drejt brigjeve të Pulias në Itali. Kjo përkon me fillimin e tranzicionit shqiptar i cili tashmë është bërë sistemik dhe duhet të kryhet. Por forcat e politikat që përfitojnë nga tranzicioni, nuk mund ta përfundojnë atë.
Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendeve tona, madje ajo e ka ruajtur paqen sociale gjatë krizave ekonomike të vendeve tona, e megjithatë nuk ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet.
Shqiptarët në Itali janë një faktor përcaktues për marrëdhëniet e dy vendeve. Si Qeveri e Kosovës bashkë me LVV në Kosovë dhe Shqipëri, angazhohemi së bashku që mërgata ta ketë përkrahjen që meriton, për të rritur edhe më tej kontributin e saj jetik për zhvillimin e kombit tonë. Për këtë arsye bashkë me Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun zhvilluam këtë takim për t’u njohur më mirë me nevojat e komunitetit tonë në Itali i cili përbëhet prej më shumë se gjysmë milioni personash. Shqiptarët e Italisë pretendojnë me të drejtë një rol më aktiv në politikëbërje.
Po ashtu diskutuam mbi nevojën e hartimit të strategjive të përbashkëta mbi parandalimin e ikjes së të rinjve, thithjes së kapitalit human, njohjen e kontributeve shoqërore, vlerësimit të trashëgimisë kulturore në funksion të rritjes ekonomike si dhe rolit të arsimimit dhe gruas në shoqëri.
Ky qe një hap i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës, që dëshmon se si vullneti ndryshon rrethanat e që na sheh edhe njëherë të bashkuar përtej kufijve të imponuar. Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këso takimesh do të shëndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes. /InLajmi/