Kryetari i Partisë Social Demokrate Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj fjalëve të Presidentës së Kosovës Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Koshare, përcjellë InLajmi
Ai tha se Osmani nuk ka përmendur UÇK-në, dhe se kur UÇK është në akuzë ajo zgjedh shmangien dhe harresën e qëllimshme.
“Vjosa Osmani e dëmton idenë e lirisë kur historinë e luftës e redukton në ideologji viktimizuese, sado dhimbje që kemi për viktimat secili prej nesh. Nëse kësaj shoqërie i takon shteti, është kështu sepse ky popull e deshi lirinë. E deshi lirinë më shumë se jetën. UÇK është dëshmi për këtë”, tha Molliqaj.
Postimi i plotë i tij:
Autonomizmi s’e duron UÇK-në, shikojeni presidenten
Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tejpartiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangjen, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyq, kur ndalet koha dhe hapet fusha.
Asnjë nga njerëzit e UÇK-së nuk udhëheq me vendin sot. Disa janë në Hagë, me gjasë edhe shumë të tjerë do të shkojnë. Tash që ata s’janë pengesë, është historia e UÇK-së pengesë.
Vjosa Osmani e dëmton idenë e lirisë kur historinë e luftës e redukton në ideologji viktimizuese, sado dhimbje që kemi për viktimat secili prej nesh. Nëse kësaj shoqërie i takon shteti, është kështu sepse ky popull e deshi lirinë. E deshi lirinë më shumë se jetën. UÇK është dëshmi për këtë.
UÇK është provë e vullnetit dhe dijes, prove e subjektit besnik që tejkalon mendësine autonomiste thellë të ngulitur ndër ne. Ndryshe, po e hoqëm UÇK-në, i bie që Kosova u çlirua jo prej vullnetit e ndërgjegjes çlirimtare, por thjesht sepse Millosheviqi e teproi me represion. Kjo është me siguri pasoja, e për bindjen time edhe motivi e qëllimi. Mendja autonomiste ndryshe s’është.. /InLajmi/