Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e vizitoi sot rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u prit në takim nga menaxhmenti i UP-së, i kryesuar nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti, përcjellë InLajmi.
Rektori Sahiti e falënderoi ministren Nagavci për vizitën dhe theksoi vullnetin për të bashkëpunuar ngushtë në avancimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë.
“Universiteti i Prishtinës është institucion që ka performancë të mirë dhe me anë të performancës sonë duam të japim shembull për të tjerët,” tha mes tjerash rektori Sahiti.
Në anën tjetër, e lumtur për vizitën në rektorat u shpreh ministrja Nagavci. Ajo ndërkaq theksoi që MASHT-i do të vazhdojë bashkëpunimin me UP-në, si institucion lider i arsimit të lartë, me kërkesa të qarta dhe duke respektuar parimin e meritokracisë në të gjitha nivelet.
“Pres kontributin dhe angazhimin tuaj që t’i vendosim të gjitha kapacitetet në ngritje të cilësisë së arsimit të lartë,” theksoi ministrja Nagavci. /InLajmi/