Kryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj ka përkujtuar masakrën e Rezallës në 22 vjetorin e shënimit të saj, përcjellë InLajmi.
Sipas Hoxhaj masakra e Rezallës është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë. Institucionet e vendit duhet të punojnë për të zbardhur rastin e secilës viktimë të këtij gjenocidi të pamëshirshëm.
Ai tutje shtoi se shteti serb duhet të kërkojë falje për krimet e bëra
Postimi i plotë i tij:
Sot bëhen 22 vite kur në Rezallë të Skënderajt, 98 persona civilë të pafajshëm u ekzekutuan nga dora vrastare e okupatorit serb. Nga 44 prej tyre që figuruan të zhdukur, një pjesë e trupave janë gjetur në Rudnicë të Rashkës, e të tjerët vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Kjo masakër, ndër më të rëndat në Kosovë është një tjetër dëshmi e gjenocidit të ushtruar mbi popullin tonë. Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për secilën viktimë të këtij gjenocidi të pamëshirshëm, derisa të gjenden trupat e të gjithë të zhdukurve, derisa të dënohen të gjithë fajtorët, derisa shteti serb të kërkojë falje për krimet e bëra.
Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën! /InLajmi/