Pasi që ka filluar vaksinimi i stafit mjekësor më vaksinat anti-Covid, Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka deklaruar se për Kosovën është një ditë e mbarë dhe po i bashkëngjitet shteteve të tjera në luftë me koronavirusin, raporton InLajmi.
“Deri më tani, bota ka pasur në përdorim vetëm metoda parandaluese ato që edhe ne i kemi përmendur dhe tani përmes vaksinimit po synohet që t’i jepet fund pandemisë. Unë kam një mesazh të qartë që virusi është ende prezent. Vaksina është e sigurt dhe çdo qytetarë duhet të ndihet i sigurt për ta marrë këtë vaksinë”, ka thënë Krasniqi.
Ndër të tjera Krasniqi ka treguar se janë 900 pacientë që janë të shtrirë në të gjitha Klinikat e QKUK-së duke u trajtuar për Covid-19 dhe se vendi është në një fazë shumë të rëndë.
“Ju lutem respektoni masat. Jemi në një fazë të rëndë me virusin, sot kemi mbi 900 pacientë që janë të shtrirë. Duhet patjetër të respektohen masat. Është e vërtetë që punëtorët shëndetësor janë të lodhur por nuk do të dorëzohen asnjëherë. Nuk dorëzohemi para këtij virusi megjithatë lusim qytetarët që të na ndihmojnë sado pak në respektimin e masave në mënyrë që t’ua bëjmë më të lehtë punën e punëtorëve shëndetësor”, ka thënë ai. /InLajmi/