Drejtoria e Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren ka njoftuar përmes një telegrami ngushëllimi për vdekjen e profesorit Besnik Krasniqi, përcjellë InLajmi.
Sipas tyre Krasniqi ka dhënë një kontribut 40 vjeçar në procesin arsimit dhe se me vdekjen e tij arsimi dhe edukimi në Prizren ka humbur shumë.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfrimuar edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, Afrim Avdaj, i cili thotë se Profesorin Krasniqi e kishte profesor, mik, kolegë, me të cilin i ndante gëzimet dhe shqetësimet e tij.
Postimi i plotë i Drejtorisë së Gjimnazit “Gjon Buzuku”:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Lajmi për ndarjen nga jeta të mësimdhënësit tonë, prof. Besnik Krasniqi na ka pikëlluar të gjithëve dhe përmes këtij telegrami i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve, miqve, nxënësve e të gjithë të njohurve të të ndjerit.
Prof. Besnik Krasniqi ka dhënë një kontribut rreth 40 vjeçar në procesin arsimor dhe me ndarjen e tij nga jeta, shkolla jonë dhe i gjithë arsimi humbi njërin nga kontribuesit më të mëdhenj të arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë.
E nderuar familje Krasniqi, ju lutem që në emër të Drejtorisë së shkollës, mësimdhënësve dhe nxënësve t’i pranoni ngushllimet më të sinqerta.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe veprat e mira që la pas! /InLajmi/