Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka treguar se është mirë më shëndet pas infektimit me Covid-19, përcjellë InLajmi.
Sejdiu ka treguar se është shtrirë nga e mërkura e javës së kaluar në Klinikën Infektive në QKUK së bashku me bashkëshortën e tij.
Ai gjithashtu ka bërë një faleminderim të veçantë për stafin mjekësor dhe dr. Salih Ahmeti.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur miq,
Javën që shkoi, nga e Mërkura e deri sot, meqë ishim infektuar me Covid 19, unë dhe bashkëshortja ime u detyruam të shtrihemi për shërim në Klinikën Infektive të QKUK.
Me këtë rast dëshirojmë të falenderojmë ekipet e mjekëve dhe gjithë personelin tjetër shëndetësor të cilët nën udhëheqjen e Prof. Dr. Sali Ahmetit, në repartin e të cilit ishim, u angazhuan me gjithë mundësitë e tyre prej ekspertësh të fushës për të ndihmuar shërimin tonë. Dhe ia kanë dalë.
Të dashur miq,
Një ndihmë të pazëvendësueshme na e keni dhënë edhe ju nëpërmjet inkurajimit të përditshëm me telefon, SMS dhe me mënyra të tjera të komunikimit.
Zoti ju bekoftë! /InLajmi/