Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar vrasjen e avokatit të shquar Bajram Kelmendit nga forcat serbe në Prishtinë, përcjellë InLajmi.
Abdixhiku tha se kanë kaluar 22 vite prej kur Bajram Kelmendi u vra bashkë me 2 djemtë e tij Kastriotin dhe Kushtrimin nga forcat serbe pikërishtë në natën kur kanë filluar bombardimet e NATO-së në Kosovë.
Postimi i plotë i LDK-së:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, sot, në 22 vjetorin e vrasjes përkujton Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin.
“Sot bëhen njëzet e dy vite nga vrasja e Avokatit të shquar kosovar, Bajram Kelmendi dhe dy bijve të tij, Kastriotit (30 vjeç) dhe Kushtrimit (16 vjeç).
Ky krim i tmerrshëm i kryer nga forcat serbe në Prishtinë – në natën e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet Jugosllave – vazhdon të mos gjejë ndëshkueshmërinë e kërkuar tash e 22 vjet.
Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë në përpjekje të pashtershme për të denoncuar krimet e kohës nga regjimi i Millosheviçit dhe forcat serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë.
Familja Kelmendi do të kujtohen gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë. LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajë në kujtesë e nderim të përhershëm Bajramin, Kastriotin e Kushtrimin.” /InLajmi/