Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës se nuk do të garantojnë marrjen e masave të sigurisë gjatë zhvillimimit të lojës Shqipëri-Angli, përcjellë InLajmi.
Federata e Shqipërisë ka kërkuar nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe nga Inspektoriati Urbanistik Vendor i Bashkisë së Tiranës që të lirojnë hapësirat në perimetrin e stadiumit Kombëtar ‘‘Air Albania’’.
Përndryshe sipas Federatës ndeshja Shqipëri-Angli duhet të anulohet dhe kjo do të shkaktonte pasoja katastrofike edhe për imazhin e Shqipërisë.
Postimi i plotë i Federatës së Futbollit Shqiptar
DEKLARATË PËR SHTYP!

Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.
Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.
Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar. /InLajmi/