Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Wing”s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve.
Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”.
Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të fluturakëve, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003).
Fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingwood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën “Major”, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachowski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajore, me nivelin B. S. në Management dhe më ulët French.
Më parë se të inkuadrohej në radhët e skuadroneve bombarduese të Flotës Ushtarake Ajrore të SHBA-ve, “Bubullima e zogut” (Thunderbirds), ajo shërbeu si instruktore dhe komandante me avionët luftarakë “F-15E”, në skuadronin “494th Fighter Squadron”, në bazën amerikane në Britaninë e Madhe, “RAF Lakenheath”. Këtu Nicole mblodhi rreth 1900 orë fluturime, nga këto 1700 orë fluturime me bombarduesit “F-15” dhe “F-16”, shkruan Gazeta Metro.
Nicole Malachowski, nga Çikagoja, është e datëlindjes 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën “Major” dhe e para femër amerikane e seleksionuar për të shërbyer në radhët e fluturimeve luftarake në forcat ajrore “Thunderbrids, që njihen ndryshe si “Pilotët e vdekjes” apo “Bubullima e zogut”. Fluturimin e parë në qiell të hapur e ka kryer në vitin 1996. Për piloten amerikane kanë shkruar e folur jo vetëm gazetat, revistat ushtarake, por edhe gazeta e televizione të njohura në SHBA si CNN, ABC, NBC, FOXNEWS etj.