U.d i detyrës së kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj ka përkujtuar shënimin e 22 vjetorit të bombardimeve të NATO-së në Kosovë, duke thënë se atë ditë kapitulloi regjimi okupator serb, përcjellë InLajmi.
Hoxhaj tha se kujtojmë me respect të madh gjithë ata burra dhe gra që u vunë në shërbim të lirisë së Kosovës, duke mos lënë pa përmendur edhe mungesën e krerëve të luftës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Ai shtoi se drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Hagë. Kujtojmë se seanca ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve po mbahet gjatë ditës së mërkure.
Postimi i plotë i tij:
Para 22 vitesh, filloi intervenimi i NATO-s kundër caqeve dhe makinerisë ushtarake serbe, të cilat po kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë e bombardimeve vijoi për 78 ditë dhe çoi deri në kapitullimin e regjimit okupator serb në Kosovë. Kjo aleancë, kreu misionin historik në pajtim me vlerat e saj, sepse mbrojti qenien dhe të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri.
Aty ku kishte filluar krimi i një regjimi, aty edhe po merrte goditjen e fundit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Aleanca e NATO-s. Sot, kujtojmë me respekt të thellë, burrat dhe gratë e kësaj aleance që u vunë në shërbim të lirisë së qytetarëve të Kosovës.
Sot, më shumë se kurrë, ndjejmë mungesën e drejtuesve të luftës sonë çlirimtare, të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve që padrejtësisht ndodhen në Hagë. Ata që ishin kreatorët e aleancës tonë të shenjtë me NATO-n dhe vlerat euro-atlantike, nuk janë me ne ta kujtojmë së bashku këtë ditë të paharrueshme për historinë e Kosovës.
Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë së Kosovës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë! Faleminderit përjetë NATO-s dhe miqëve ndërkombëtarë! /InLajmi/