Kryeministri dhe Kryeparlamentari i ri i Kosovës kanë vizituar Prekazin për të bërë homazhe me rastin e marrjes së detyrës së re, raporton InLajmi.
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ishin të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
“Jemi këtu në Prekaz së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kemi nderin edhe me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, që të përkulemi para sakrificës së madhe të familjes Jashari”, – tha Konjufca
Konjufca tha se Prekazi është vendi ku kombi shqiptar u ringjall nga sakrifica e madhe e familjes Jashari. Kujtimi për familjen Jashari do të jetë i përjetshëm shtoi ai.
“Ne jemi në Prekaz që të marrim forcë se si të vazhdojmë dhe ecim përpara, meqë ky është vendi ku në vitin 1998 kombi shqiptar u ringjall dhe sakrifica e madhe e familjes Jashari e lëvizi krejt botën dhe e bëri botën që të rreshtohet në anën e interesit të kombit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye do të jetë i përhershëm dhe i përjetshëm kujtimi i të gjithë kombit shqiptar për këtë sakrificë të madhe të familjes Jashari”. /InLajmi/