Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka reaguar në lidhje me përjashtimin e portierit, Aro Muric nga kampi i Përfaqësueses së Kosovës.
Salihu në një prononcim për Insportin e ka mohuar se ka ndodhur një përleshje fizike në mes të Aro Muricit dhe Edon Zhegrovës.
“Po ju garantoj qe absolutisht, nuk ka ndodhe me përgjegjësi të plotë. Nuk ka asgjë prej asaj ka pas një problem të vogël”, deklaroi Salihu.
Është mësuar se rrahja mes Muricit dhe Zhegrovës ka ndodhur të hënën mbrëma.
Si pasojë e kësaj tani Kosova mbetet vetëm me 3 portierë Samir Ujkani, Betim Halimi dhe Visar Bekaj.
Sot nga FFK është bërë e ditur se nga kampi i ekipit kombëtar për arsye diciplinore është larguar Arijanet Muric.
Ja njoftimi i FFK:
Me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollisti Arijanet Muric largohet nga kampi i ekipit kombëtar për arsye disiplinore.
Ndryshe, Kombëtarja e Kosovës sot (e martë) do mbajë stërvitjen e parë në fushën e Kampit Nacional Edukativ në Hajvali me fillim nga ora 16:00, teksa konferenca për media e përzgjedhësit Bernard Challandes do mbahet në “Fadil Vokrri” në ora 18:00