I mandatuari për formimin e Qeverisë nga radhët e LVV-së Albin Kurti, e ka marrë fjalën në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pritet të zgjidhet kryeministër, raporton InLajmi.
Ai në fjalën e tij renditi prioritetet dhe planet e Qeverisë së tij. Në fillim të fjalimit, ai përmendi se “Jemi mbledhur këtu për ta jetësuar vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet që ishin porsi një referendum”.
“Brenda vitit synojmë imunizimin e popullsisë”, tha Kurti, duke u shprehur se do të synojnë që t’i sigurojnë vaksinat shpejt.
Kurti tha se arsimi, ekonomia e shëndetësia kanë nevojë për reformë, ndërsa përmendi edhe situatën e rëndë që e ka shkaktuar pandemia.
“Viti që lam pas ka peshuar e rënduar më shumë te ata që janë më të dobët”, tha Kurti, duke shtuar se “e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është situata për qytetarët e vendit”. Ai tha se sot fillon rruga në të cilën ata do ta synojnë barazinë dhe drejtësinë për të gjithë.
Ai po ashtu paralajmëroi edhe padi ndaj krimeve dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Ai tha se me Serbinë s’do ta bëjnë asnjë kompromis tjetër, duke përmendur paraprakish pakon e Martti Ahtisaarit.
Si prioritet në dialogun me Serbinë përmendi zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur./InLajmi/




















