Duket se frika për një valë të tretë të pandemisë Covid-19 ka bërë që disa vende europiane të rivendosin masa strikte kufizimi, deri në karantinë thuajse totale. Kështu, ditën e djeshme në Francë dhe Poloni u futën në fuqi masat e reja anti-Covid, me rreth 21 milionë njerëz vetëm në Francë që përballen me kufizime të reja. Shumica e dyqaneve atje janë mbyllur, por qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre për periudha të pakufizuara brenda një rreze prej 10 kilometrash. Udhëtimi mes rajoneve është i ndaluar përveç arsyeve urgjente, të punës dhe shëndetit.
Qeveria franceze u tërhoq fillimisht nga marrja e masave të ashpra kundër koronavirusit, edhe pse situata në spitale është alarmante për shkak të rritjes së fluksit të pacientëve. Shkak për këtë u bë pakënaqsia e njerëzve dhe protestat e tyre, megjithatë tani duket se kanë shkuar para me planin për frenimin e valës së tretē. Disa orë para se masat e reja të hynin në fuqi mijëra qytetarë u larguan nga Parisi për ti shpëtuar karantinës, shkruan News31
Në Poloni, karantina e re është vendosur për 3 javë në të gjithë vendin. Zyrtarët fajësojnë përhapjen e mutacionit britanik. Ndërkohë nga dita e sotme, Gjermania do të kufizojë kalimet kufitare me Poloninë, një shtet i klasifikuar tani si një zonë “me rrezik të lartë”. Qipro dhe Bullgaria, njoftuan gjithashtu një bllokim të ri 10-ditor këtë javë. Hungaria zgjati kufizimet e bllokimit edhe për një javë tjetër pasi një rritje e fortë e infektimeve po thyen rekorde çdo ditë. Po ashtu edhe pjesa më e madhe e Italisë është përfshirë nē “zonën e kuqe”, me kurizime të shumta për qytetarët. Përjashtim po bën ditët e fundit Britania që po njeh ulje te ndjeshme të rasteve të reja, kjo falë edhe vaksinimit masiv të popullatës.