Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu ka ushtruar në Këshillin Prokurorial të Kosovës kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka, i cili ishte duke e ndjekur penalisht rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.
Kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore erdhi pas dyshimeve për mos trajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka, i cili edhe u largua nga ky rast me vendim të kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.
Këtë e ka konfirmuar për Express, zëdhënësja e prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini.
“Bazuar në vendimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, për këtë rast ka caktuar një prokuror tjetër nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i kësaj prokurorie, që të merret me trajtimin e kësaj çështje. Gjithashtu, në bazë të kërkesës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në bazë të autorizimeve ligjore nga Ligji nr. 06/L-057, për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, si autoritet kompetent, më datë 18 Mars 2021, në Këshillin Prokurorial të Kosovës ka ushtruar kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj prokurorit Agron Uka, lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit Shaban Gogajt, me propozim të shqiptimit të masës adekuate disiplinore”, ka thënë ajo.
Në ndërkohë trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë, ka marrë sot vendim që të rihapet seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin e vrajses së Agonis Tetajt.
“Trupi gjykues, ka vlerësuar me hollësi të gjitha shkresat e lëndës, ka analizuar dispozivat ligjore dhe ka vendosur: Rihapet seanca e shqyrtimit gjyqësor, shpallet e papërfunduar procedura penale sepse duhet të plotësohet procedura penale”, ka thënë gjyqtarja e trupit gjykues.
Tutje, seanca tjetër për këtë rast do të mbahet më 21 prill 2021, teksa prokurori duhet të sjell prova të reja deri më 7 prill 2021.
“Caktohet shqyrtimi gjyqësor i radhës me datë 21.04.2021, obligohet prokurori I çështjes që të sjell prova të reja të pretenduara deri më 7 prill 2021”, thuhet në aktvendim.
Ndryshe, një video nga vrasja e Agonis Tetajt është publikuar të mërkurën nga babai i Agonisit, pas rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.
Sipas Isuf Tetajt, u manipulua kur vepra e vrasjes së djalit të tij u rikualifikua nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.
Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike e ka akuzuar prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.
Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.
Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.
Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.
Edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar pas publikimit të videos së vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani dhe letrës publike të babait të tij, Isuf Tetaj, i cili akuzoi prokurorin e rastit, Agron Uka, pas ricilësimit të veprës penale nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”.