Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë që Vjosa Osmani nuk do ta ketë votën e kësaj partie, për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.
Hamza në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe u.d e presidentes Vjosa Osmani nuk kanë kërkuar nga PDK-ja që të votojë për postin e presidentit.
“Ne e kemi pranuar një ftesë prej fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast prej koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me Listën e Vjosa Osmanit. PDK-ja e ka diskutuar çështjen me organet e saj dhe në këtë takim ka shkuar Hoxhaj dhe Ismaili, sepse mendojmë që duhet të ketë një dialog mes pozitës dhe opozitës, që të kemi një mbarëvajtje rreth konstituimit të institucioneve, por që në të ardhmen ndoshta të krijohet edhe një kohezion i brendshëm për tema të caktuara për perspektivën e vendit”.
“Kemi shkuar në takim. Disa prej qëndrimeve janë bërë publike, dhe i kemi shtruar 10 pika. Ka pasë bisedë në këtë takim dhe normalisht që edhe pala tjetër ka diskutuar dhe ka kërkuar që të ketë bashkëpunim, por në tema të caktuara siç është arsimi, politika e jashtme dhe ekonomia, por pa kërkuar një ndihmë apo një bashkëpunim direkt rreth zgjedhjes së presidentit të vendit”.
“Nuk ka qenë kërkese e tyre që PDK-ja t’i përkrahë në zgjedhjen e presidentit. Sigurisht që ata i kanë kalkulimet e veta, por diçka që nuk ta kërkojnë është vështirë për me dhënë qëndrim të caktuar”.
“E kemi diskutuar në organet e partisë dhe nuk ka pasë ftesë për një takim të dytë. Është diskutuar edhe në kryesi, që PDK-së nuk i është kërkuar një gjë e tillë dhe nuk ka votë për zgjedhjen e presidentit derisa askush nuk e kërkon një gjë të tillë”.
Hamza theksoi që PDK-ja ka vënë standarde pozitive, përkundër VV-së që sipas tij, kur ka qenë në opozitë nuk ka qenë e gatshme që të bashkëpunojë me fituesin.
“PDK është duke vendosur disa standarde pozitive. Kur e kemi kuptuar që i kemi humbur zgjedhjet e kemi pranuar rezultatin zgjedhor dhe e kemi uruar fituesin për fitoren”.
“Derisa në të kaluarën nuk ka pasë praktika ku opozita në këtë rast VV-ja, ka qenë e gatshme të ulet me partitë fituese rreth konstituimit të institucioneve”.