Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës (të cilën e ka bërë publike babai i viktimës) përmendet një bisedë telefonike ndërmjet të dorasit Shaban Gogaj dhe vajzës së hallës së tij, e cila, sipas aktakuzës, e kishte acaruar dorasin. Edhe në videot e publikuara shihet se Gogaj e kishte vrarë Agonis Tetajn menjëherë pas përfundimit të bisedës telefonike. Por, çka kishin biseduar Shabani me N.M. në ditën kritike?
Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018, Agonis Tetaj nga fshati Llukë i Deçanit, mbeti i vdekur në vendin e tij të punës, nga një plumb në kokë të cilin ia shkrepi Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë ku po punonte.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës, thuhet se Gogaj me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn dhe ka vënë në rrezik jetën e 2 punonjësve të tjerë që gjendeshin afër tij.
Aty thuhet po ashtu se shkrepja e armës ka ardhur pas një telefonate që kishte marrë dorasi Shaban Gogaj. Sipas Prokurorisë, telefonata e kishte acaruar Gogajn.
“Me date 23.09.2018, rreth ores 11.04 min, ne Deçan, ne rrugen ‘Luan Haradinaj nr 130, ne Kompanine “Gogaj AG “, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj nga fshati Lluke e Deçanit, dhe me kete rast ve ne rrezik jeten e ketu te demtuareve. A.H. dhe F.Z, ne ate menyre qe pasi i pandehuri merr nje telefonate nga N.M., ketu deshmitare, nga e cila bisede shifet se eshte dukshem i acaruar…”, thuhet në aktakuzë, shkruan Gazeta Express.
Në dëshminë e tij dhënë në polici, Shaban Gogaj kishte deklaruar se nuk i kujtohet çka kishte biseduar me vajzën e hallës së tij, N.M.