Besa Shahini, ish-ministre e Arsimit në Shqipëri, ka reaguar ndaj Vjosa Osmanit pas një deklarate që ka dhënë ajo për mediumin anglez BBC, përcjellë InLajmi.
Osmani në këtë intervistë ka thënë se në Kosovë problem i madh është krimi dhe korrupsioni dhe kjo deklaratë sipas Besa Shahinit është e pavërtetë, populliste dhe anti-patriotike.
Sipas Shahinit ajo çka duhet të diskutohet në media ndërkombëtare është fakti se Kosova nuk njihet si shtet nga rajoni.
Postimi i plotë i saj:
Presidentja e Kosovës – përfaqësuesja më e lartë e vendit – tha për BBC-në, që problemi më i madh në Kosovë është “krimi dhe korrupsioni”. Përveçse e pavërtetë, kjo deklaratë është populiste dhe anti-patriotike.
Problemi kryesor për t’u diskutuar në media ndërkombëtare është fakti se Kosova nuk njihet si shtet nga rajoni, BE-ja dhe organizatat e tjera kryesore ndërkombëtare. Kjo pengon jo vetëm zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, por edhe imagjinatën se si mund të dilet nga izolimi dhe pabarazia me vendet e tjera të rajonit.
Të flitet për krim dhe korrupsion në fushatë zgjedhore është e kuptueshme. Por, të përçohet diskursi i fushatës në media ndërkombëtare dhe të përshkruhet Kosova si vend i zhytur në krim e korrupsion, është të pështysh vetën në fytyrë, siç kanë bërë Basha e Meta shpesh me Shqipërinë për interesa vetjake elektorale. Kur e para e vendit prezanton gjithë gjeneratat paraardhëse politike si të korruptuara e të kriminalizuara, tingëllon mosbesues edhe cilësimi që ia bën vetes dhe Vetëvendosjës si të “pakorruptueshëm”. /InLajmi/






















