Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se me propozim të u.d të presidentes Vjosa Osmani u vendos që seanca konstituive të mbahet të hënën, më 22 mars, në ora 10:00, raporton InLajmi.
“Përfunduam punimet e mbledhjes së ditës për përgatitjen e seancës konstituive. U vendos që seanca të mbahet me datën 22 mars të hënën në ora 10:00″.
Nagavci ndër të tjera shtoi se në mbledhje është diskutuar edhe për çështje teknike siç është vendosja e deputetëve në seancë dhe sipas saj nuk ka pasur ndonjë kundërshtim në këtë aspekt.
“Nuk pati ndonjë kundërshtim kurse u diskutuan edhe disa çështje teknike. Në Lëvizje jemi duke shqyrtuar pozicionet, por nuk kemi vendosur kush do të jetë kryeparlamentari. Po e rëndësishme është që ekipi i LVV-së do të jetë profesional”.
Ajo po ashtu tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë së re, teksa për çështjen e presidentit deklaroi se qytetarët kanë dhënë mesazhin e duhur dhe të gjitha partitë duhet të respektojnë.
“Nuk isha pjesë e takimeve të djeshme po besoj se me 22 konstituohet kuvendi dhe hapet rruga për formimin e institucioneve. Sa i përket çështjes së presidentit qytetarët kanë dhënë mesazhin e duhur dhe të gjitha partitë duhet të respektojnë”.
“Është çështje organizative çështja e propozimit për takim të zotëri Abdixhikut, por data e takimit varet vetëm nga agjendat e Kurtit e Osmanit. Lëvizja i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë. Kemi në detyrë një Qeveri që nuk ishte asnjëherë e tillë”. /InLajmi/