Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhely, ka thënë se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave.
Varhely shtoi se jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian janë bindur për këtë.
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi virtual me “Forumin Ekonomik të Tiranës”.
“ Në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Komisioni vlerëson se të gjitha kushtet janë përmbushur. Sidoqoftë, jo të gjitha shtetet anëtare janë bindur ende. Prandaj, ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës t`i drejtohen vendeve anëtare të BE-së për të adresuar shqetësimet e mbetura”, tha ai.
Komisioneri evropian, gjithashtu shpreson në stabilitet politik në Kosovë, shkruan Insajderi.
“Në mënyrë që Kosova të mund të shpejtojë procesin e reformës, përfshirë në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në agjendën e saj evropiane”.