Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka thënë se vështirësitë e shkaktuara nga kriza e koronavirusit mund të rezultojnë me 10 milionë martesa të fëmijëve në dekadën e ardhshme.
Në një studim të publikuar më 8 mars, UNICEF ka thënë se “mbyllja e shkollave, stresi ekonomik, ndaljet e shërbimeve, shtatzënitë dhe vdekjet e prindërve për shkak të pandemisë, janë duke përballur vajzat më të brishta me rrezik të martesës sa janë fëmijë”.
Në raportin e publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të titulluar “COVID-19: Një kërcënim kundër martesave të fëmijëve”, është thënë se nëse trendi konfirmohet, do të përbënte një kthim serioz nga përparimi i arritur në vjetët e fundit në fushatën kundër martesave të fëmijëve.
Aty është thënë edhe se proporcioni i grave të reja, të martuara sa kanë qenë fëmijë, ka rënë nga gati 25 për qind, në rreth 20 për qind në 10 vjetët e fundit.
“Ky përparim tani po kërcënohet”, është thënë në studim.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se pret që më shumë doza të vaksinave të jenë të qasshme në Bashkimin Evropian në fillim të prillit, shkruan REL.
Në Shtetet e Bashkuara, eksperti i ekipit për koronavirus Anthony Fauci, ka thënë se nxënësit e shkollave të mesme në SHBA duhet të vaksinohen kundër koronavirusit në vjeshtë të këtij viti.