Mungesa e një muzeu që dëshmon krimet e luftës në Kosovë rrezikon të lërë në harresë dëshmitë e gjalla, vrasjet, masakrat, keqtrajtimet dhe dhunimet që u bënë ndaj civilëve shqiptar gjatë kohës së luftës.
Njerëz të fushës si profesorë e historianë thonë se mos-krijimi i një muzeu të tillë përveç që tregon mos-respekt për sakrificën e të rënëve, por rrezikon edhe kujtesën kolektive rreth ngjarjeve që tronditën vendin dy dekada më parë.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se mungesa e një muzeu që dëshmon krimet e luftës mund të krijojë problem në kujtesën kolektive
“Definitivisht mungesa e një muzeu të përgjithshëm që kish me trajtu të kaluarën është një problem i madh, në rend të parë edhe në kujtesën kolektive tonën si shoqëri, ku edhe gjeneratat e reja do ta vizitonin dhe do të mësonin mbi të kalurën, mirëpo është e rëndësishëm gjithashtu për vizitorët apo turistët e huaj që vinë në Kosovë, sigurisht që ata kanë dëgjuar që ka ndodh një luftë e tmerrshëm këtu, mirëpo kur i interesohen se ku mund të mësojnë diçka më shumë për këtë luftë në fakt nuk ekziston një adresë e vetme,” thotë Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Historiani Memli Krasniqi thotë një muze i tillë është i rëndësishëm për të treguar krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullit të Kosovës.
“Në një anë dëshmon për krimet serbe, në anën tjetër ndihmon në kujtesën kolektive të shqiptareve që mos të harrohet, jo me qëllim që të mbjellët ndonjë ndjenjë e hakmarrjes por jo edhe harresës, për të kujtuar dëmet dhe krimet e rënda që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë…Ndërsa çdo vonesë ose shtyrje e kohës deri në hapjen e muzeve ka pasoja sepse shumë mbetje materiale ose janë shkatërruar ose nuk mund të gjenden veshmbathje që shkatërrohen, ose fotografi mund të humbin që nuk janë dixhitalizuar, gjithashtu edhe incizimet që nuk janë dixhitalizuar mund të humbin, me distancë kohore zbehet edhe kujtesa e personave që kanë jetuar ose mbijetuar masakrat,” shprehet historiani Krasniqi.
Ndërsa, profesori Ismet Salihu, i cili ishte pjesë e Institutit për Hulumtimin e krimeve të Luftës, institucion ky që aktualisht nuk funksionon, thotë se shteti tregoi neglizhencë sa i përket kësaj çështje.
“Shumë e dëmshme është, jashtëzakonisht e dëmshme për shkak se jo vetëm që lë në harresë, për shkak se nuk tregohet as një minimum i respektit të dëshmoreve, të luftës që janë vrarë për këtë liri, të viktimave të luftës, të miliarda dëmeve të tjera materiale, për këtë arsye është e dëmshme mos themelimi i muzeut për krime të luftës por edhe rihapja e shpejtë e institutit për hulumtimin e krimeve të luftës,” thotë Salihu.
Institucionet shtetërore në Kosovë deri tani nuk e kanë pasur prioritetit mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë periudhës 1998-1999.
Kosova ka disa iniciativa memoriale të cilave padyshim u prinë ajo në Prekaz, ku dëshmohet sakrifica e familjes Jashari, por edhe ajo ka mbetur në gjendje të vështirë pa përkujdesjen e duhur nga shteti.