Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj me rastin e 7 marsit, ka uruar të gjithë mësuesit, për ditën e tyre, përcjellë InLajmi.
Likaj ka thënë se mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror.
Po ashtu ai ka theksuar se e ardhmja nis dhe vuloset në bankat e shkollës, prandaj kësaj dite më së miri i shkon thënia e pavdekshme se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.
Postimi i plotë i tij:
Në ditën e tyre, 7 marsin, urojmë dhe nderojmë të gjithë mësuesit!
Kjo datë na përkujton 7 marsin e 1887-ës, kur u hap në Korçë mësonjëtorja e parë shqipe në drejtimin e Pandeli Sotirit.
Sot nuk mund të lëmë pa e theksuar kontributin e punonjësve të arsimit që edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme mbajtën shkollat hapur dhe arsimin e trajtuan me prioritet. Janë ata që ndër vite kontribuan për të mbajtur gjallë arsimin shqip dhe shumë prej tyre nuk e kursyen as jetën për lirinë e vendit.
Mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror. E ardhmja nis dhe vuloset në bankat e shkollës, prandaj kësaj dite më së miri i shkon thënia e pavdekshme se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”./InLajmi/