Përfaqësuesit e Odës së Hotelerisë së Kosovës gjatë një konference për medie, kanë paralajmëruar mosrespektim të masave eventuale që mund të vendosen nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton InLajmi.
Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva tha se janë dakorduar që t’u kundërvihen masave të reja nëse ato aprovohen nga ana e ekzekutivit.
“Në bazë të informatave që kemi, janë paralajmërimet që do shtrëngohen masat, dhe me mbledhjen e Këshillit jemi dakorduar që edhe ne t’i kundërvihemi këtyre masave nëse veçse aprovohen”, tha kryetari Hysen Sogojeva.
Sogojeva po ashtu kërkoi që të mos ketë kufizim të orarit dhe hapjen e sallave të dasmave meqë nuk kanë punuar që nga marsi i vitit të kaluar.
“Nga terreni që kemi qenë në shumë regjione kemi marrë aprovimin e tyre që këto masa që ne i marrim kanë me qenë të realizueshme për gjitha bizneset, andaj ne kërkojë që mos të ketë kufizim të orarit, sallat e dasmave qe nga marsi i vitit të kaluar nuk kanë punuar nga java e prillit të nisin punën në bazë të rregullave”, tha Sogojeva
Ndërkaq Skënder Thaçi, nënkryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës tha se është fyerje për ne aplikimi i këtyre masave meqë sipas tij edhe ne jemi kontribuues dhe po mbushim buxhetin e shtetit tonë.
“Jemi bërë tabelë shitëse e institucioneve, dhe ne jemi kontribuues dhe po mbushim buxhetin e shtetit tonë, dhe është fyerje për ne aplikimi i këtyre masave. Ne nuk jemi vatër e infeksionit, dhe boll na keni marrë frymën”, tha Thaçi.
Përfaqësuesit e Odës së Hotelerisë së Kosovës kanë paralajmëruar edhe protesta në rast se merret ndonjë vendim që kërkon mbylljen e tyre. /InLajmi