Pas aksionit policorë të së premtes ka reaguar edhe Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi i cili ka mbështetur këtë aksion në të cilin u arrestuan 8 zyrtarë policorë, përcjellë InLajmi.
Sipas Ministrit në detyrë të Drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale të sillen para drejtësisë. Ai inkurajon Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës që t’i shkojnë deri në fund hetimit të këtij rasti.
Postimi i plotë i tij:
Arrestimi i sotëm i tetë zyrtarëve policorë dëshmon përkushtimin e Prokurorisë që të godasë krimin e organizuar në të gjitha hallkat e sistemit, përfshirë Policinë e Kosovës. Krenar me Prokurorinë dhe Policinë, të cilët i inkurajoj që hetimin ta çojnë deri në fund dhe të gjithë të përfshirët në kryerje të veprave penale të sillen para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe për elemente kriminale nuk do të ketë vend në mekanizmat e zbatimit të ligjit. /InLajmi/