Shtetet me përqindje më të madhe të popullsisë me mbipeshë, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë gjithashtu shkallën më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi, sipas një raporti, duke nxitur thirrje për qeveritë që ta luftojnë mbipeshën dhe t’u japin përparësi për vaksinim personave me mbipeshë.
Rreth 2.2 milionë nga 2.5 milionë vdekjet nga koronavirus janë regjistruar në shtetet me përqindje të lartë të personave me mbipeshë, thuhet në raportin e Federatës Botërore të Obezitetit. Vendet si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Italia, ku mbi 50% e të rriturve janë me mbipeshë, kanë përqindjen më të madhe të vdekjeve të lidhura me koronavirusin.
Problemi nuk është vetëm te mbipesha, por edhe te niveli i peshës që shumë njerëz e vlerësojnë si normal në shumë shtete. Shkalla e vdekjeve ishte dhjetë herë më e madhe në shtetet ku mbi gjysma e të rriturve ka indeks të masës trupore prej 25 kilogramë për metër katror.
Federata Botërore e Obezitetit tha se njerëzve që kanë mbipeshë duhet t’u jepet më shumë prioritet për vaksinim dhe testim për koronavirusin për shkak të rrezikut të shtuar nga vdekja, shkruan The Guardian.
Në mesin e shteteve ku mbi gjysma e të rriturve janë me mbipeshë, Belgjika e ka nivelin më të lartë të vdekjeve. Pas saj radhiten Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Italia është e pesta, Portugalia e gjashta, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e tetë, transmeton Gazeta Express.
Në anën tjetër, Vietnami, që e ka përqindjen më të ulët të njerëzve me mbipeshë në tërë botën, është shteti i dytë në botë me shkallën më të ulët të vdekjeve nga koronavirusi.